Lajme

Agusholli i VV-së: Kërkesat e Vuçiqit janë imagjinare dhe totalisht të parealizueshme

09/14/2024 20:09
nga:Sh R

Deputeti nga Lëvizja Vetvendosje, Gramos Agusholli, ka komentuar kërkesat që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka paraqitur dje në një konferencë për media ndaj Kosovës.

Agusholli në një prononcim për GazetaBlic, thotë se kërkesat e Vuçiqit janë imagjinare dhe totalisht të parealizueshme.

“Unë konsideroj se këto kërkesa të vucicit janë imagjinare dhe totalisht të parelaizushme.E kam potencuar edhe më parë, këto lëvizje janë thjesht propagandë për konsum të brendshëm në Serbi, me qëllimin për të mbajtur gjallë ‘nacionalizmin’ serb”, tha Agusholli.

Tutje, ai potencon se ka përfunduar koha kur Serbia mund të bënte presion duke përdorur retorikën e frikës me ndikimin e Rusisë në Ballakan.

“Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht, dhe sovraniteti i saj është i garantuar jo vetëm nga NATO, por edhe nga populli i saj, i cili është i gatshëm ta mbrojë vendin me çdo kusht. Çdo përpjekje për ta ndryshurar këtë realitet është e destinuar të dështojë.Koha kur mund të bënte presion duke përdorur retorikën e frikës me ndikimin e Rusisë në Ballkan ka përfunduar”, potencoi ai.

Agusholli shprehet i habitur me kërkesën e Vuçiqit që serbët të kthehen në Policinë e Kosovës, përderisa ata janë ‘vetlarguar’ me urdhër të tij.

Sa i përket kërkesave tjera që ka paraqitur Vuçiqi, deputeti i VV-së thotë këto kërkesa janë punë e kryer ‘done deal’, dhe nuk kemi se çka të flasim për to.

“Ajo që më bën më shumë përshtypje është se si vucici kërkon që serbët të kthehen në Policinë e Kosovës, kur ata u ‘vetlarguan’ me urdhër te tij ? Policët që braktisën detyrën e tyre, sipas mendimit tim, nuk duhet të kthehen në pozitat e mëparshme. Në vend të tyre, është e nevojshme të formohet një brez i ri policësh, të cilët nuk janë të lidhur me urdhrat e Beogradit dhe janë të përkushtuar për të shërbyer interesat e Kosovës. Sa i përket kërkesave për kthimin e dinarit, rikthimin e shërbimeve postare apo tërheqjen e Njësisë Speciale nga veriu, këto janë çështje janë done deal, dhe si të tilla nuk kem as çka flasim per to”, përfundoi Agusholli për GazetaBlic.