Lajme

Agusholli i reagon Lajçakut: Hapja e Urës së Ibrit çështje kohe – s’ka nevojë të diskutohet në dialog

06/18/2024 21:09
nga:G B

Emisari Special në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit, mund të sjell incidente dhe ta komplikojë situatën e dialogut edhe më tej.

Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet në dialog dhe hapja e Urës të bëhet me koordinim dhe dakordim, duke shtuar se partnerët s’është mirë të befasohen.

Lidhur me këtë, në një prononcim për Gazeta Blic, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, thotë se hapja e Urës së Ibrit është temë e marrëveshjeve të viteve 2015 dhe 2016 dhe po ashtu është votuar në kuvendin komunal të Mitrovicës.

“Me sa kam informacion hapja e urës së Ibrit është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Po ashtu, hapja e saj është votuar edhe në kuvendin komunal të Mitrovicës dhe përgjegjësia për këtë ka kaluar te Ministria e Punëve të Brendshme”, thotë ai.

Sipas deputetit, çështja e hapjes së Urës është teknike dhe është çështje kohe se kur të ndodhë, duke shtuar se çështjet teknike s’kanë nevojë të negociohen në dialog.

“Besoj se hapja e urës është një çështje krejtësisht teknike dhe është vetëm çështje kohe se kur do të ndodhë. Për të shkaktuar tensione, duhet të ketë struktura kriminale, por e dimë që aktiviteti kriminal në Veri është në rënie. Kam potencuar më parë se çështjet që konsiderohen teknike nuk kanë nevojë të negociohen në dialog dhe në praninë e ndërkombëtarëve, sepse zgjidhen lehtë dhe nuk ka nevojë për implikime të jashtme”, shprehet Agusholli për Gazeta Blic.

Ai vlerëson se BE duhet ta trajtojë Kosovën me më shumë dinjitet në bisedime, pasi shteti ynë meriton trajtim më të barabartë dhe respektues.

“Kam thënë dhe vazhdoj të them që BE-ja duhet ta trajtojë shtetin tonë me më shumë dinjitet në bisedime, sepse ne kemi qëndruar besnikë ndaj kushteve të tyre pa thyer asnjëherë marrëveshjet. Shteti ynë meriton një trajtim më të barabartë dhe më respektues nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Është e rëndësishme që proceset teknike të ecin përpara pa pengesa dhe që bashkëpunimi ndërmjet palëve të jetë i përqendruar në arritjen e rezultateve konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/

 

Lajçak: Hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të shkaktojë incidente