Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas një kërcënimi serioz me vrasje të drejtuar ndaj gazetarit dhe themeluesit të Vox Kosova, Lirim Mehmetaj. Kërcënimi është bërë përmes një komenti në rrjetet sociale, me gjuhë të rëndë dhe kërcënuese ndaj jetës së tij.
AGK e ka dënuar ashpër këtë gjuhë, duke e cilësuar si të papranueshme dhe të rrezikshme për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve. Në reagimin e saj, AGK u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të veprojnë urgjentisht për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të personit përgjegjës për këtë kanosje.
Sipas AGK-së, kërcënime të tilla përbëjnë rrezik real jo vetëm për gazetarin Mehmetaj, por edhe për redaksinë që ai udhëheq. Për këtë arsye, Asociacioni ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ofrojë masa të menjëhershme mbrojtëse, me qëllim garantimin e sigurisë fizike të gazetarit dhe stafit të tij.


