Lajme

AGK-ja pas zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së: Instrumentalizimin për interesa të partisë në pushtet

01/17/2025 17:13
nga:Sh R

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se është e shqetësuar me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komisionit të Pavarur të Mediave.

AGK-ja tha se e ka përcjellur me shqetësim mbledhjen e sotme të KPM-së, ku u votua kryetari i ri, disa ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmetit.

“Zgjedhja e Besnik Berishës për kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual”.

“AGK-ja e sheh votimin e sotëm si përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme”, thuhet në reagim.

Më tej, AGK-ja tha se Komisioni i Pavarur i Mediave, si organ kushtetues, luan rol të rëndësishëm në rregullimin e skenës mediale në Kosovës dhe si i tillë, duhet ta ruajë pavarësinë e plotë dhe të mos lejojë ndërhyrjet politike.