Lajme

AGK-ja e dënon sulmin e Bislimit ndaj mediave: E rrezikshme gjuha e zëvendëskryeministrit

09/18/2023 18:03
nga:G C

Asociaciacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar si të rrezikshme dhe të papranueshme deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili i sulmoi mediat në një konferencë para gazetarëve, duke thënë se “financohen nga Serbia.

“Deklaratë e rrezikshme dhe e papranueshme e zv/kryeministrit Bislimi kundër medieve të Kosovës. Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato “financohen nga Serbia””, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja e ka dënuar ashpër këtë gjuhë “të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë”, dhe ka shtuar se “kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare”.

“Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit”, thuhet në reagim.

Bislimi i është përgjigjur një pyetje sot, duke thënë se mediat kosovare ia kanë përdorur qëllimisht një fjalë të tij.

“Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”, ka thënë Bislimi në konferencë.