Lajme

AGK: Emërimi i Rilind Gërvallës, për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi, nevojitet proces i ri

02/04/2023 18:46
nga:Astrit Gashi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas emërimit të Rilind Gërvallës për drejtor të kanaleve shqip në RTK, duke theksuar se emërimi i tij përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.
AGK-ja, konsideron se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik. Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”, thuhet në reagim.

AGK më tutje ka theksuar se “rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional”.

“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik.
Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, ka nënvizuar AGK.