Lajme

AGK dënon kërcënimet ndaj Klan Kosovës dhe gazetarëve, mirëpret reagimin e shpejtë të Policisë

12/20/2025 21:42
nga:Sh R

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas arrestimit të një personi që kishte bërë kërcënime online ndaj Klan Kosova dhe gazetarëve të këtij televizioni.

AGK-ja ka dënuar ashpër kërcënimet e rënda dhe të papranueshme që, sipas njoftimeve zyrtare, individi V.H. kishte drejtuar ndaj televizionit dhe punonjësve të tij, duke i cilësuar ato si sulm serioz ndaj lirisë së medias në Kosovë.

Po ashtu, Asociacioni ka mirëpritur reagimin e shpejtë të Policia e Kosovës, duke shprehur besimin se rasti do të trajtohet me prioritet.

Sipas njoftimit të Policisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar një person dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”, në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria, në bashkëpunim me institucionet relevante, ndodhet në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore.

AGK-ja ka theksuar se çdo formë kërcënimi apo intimidimi ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe përbën goditje direkte ndaj lirisë së shprehjes dhe informimit, duke ritheksuar se siguria e gazetarëve duhet të jetë prioritet institucional.