Sporti

Agjenti i Roque kritikon Xavin: Nuk mund të vazhdojmë kështu

05/06/2024 09:21
nga:Lorik J

Pritshmëritë ishin të mëdha për Vitor Roque kur ai mbërriti te Barcelona në janar, por sulmuesi 19-vjeçar ka luajtur vetëm 310 minuta për klubin që kur iu bashkua katalanasve.

Javët e fundit, ka pasur raportime se braziliani ka shumë gjasa të largohet nga Barça në formë huazimi gjatë verës. Megjithatë, agjenti i Roque, Andre Cury i tha RAC1 se nëse klienti i tij largohet nga Blaugrana, ai do ta bëjë në një transferim të përhershëm.

“Ai nuk do të largohet në huazim. Nëse largohet, do të jetë në një transferim të përhershëm. Askush nuk e kupton pse Xavi nuk e përdor atë dhe as nuk flet me Vitorin, kjo nuk është e drejtë. Së shpejti do të diskutojmë të ardhmen e tij me Barçën”, tha agjenti Andre Cury para RAC1.

“Ne zgjodhëm Barçën sepse Vitor e do klubin, imagjinoni nëse vërtet kishim oferta të tjera që na dhanë dy herë më shumë. Por nëse nuk mund të gjejmë një zgjidhje të brendshme, do të duhet të kërkojmë një vend tjetër me një transferim të përhershëm.”

“Të gjithë e panë se Barça kundër PSG kishte nevojë për një gol dhe mund të kishte përfituar nga një numër 9 tjetër. Në shumë ndeshje ata kishin nevojë për këmbë të freskëta… por nëse Xavi nuk e sheh në këtë mënyrë, atëherë durim. Por nuk mund të vazhdojmë kështu”, shtoi Cury.

/GazetaBlic Sport