Agjenti i Christian Eriksen ka konfirmuar synimin e klientit të tij për të vazhduar të luajë dhe vuri në dukje se ai planifikon të kthehet në “San Siro” muajin e ardhshëm.
Kontrata e mesfushorit 29-vjeçar danez u ndërpre dje me Interin pas arrestit kardiak gjatë ndeshjes hapëse të Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës në verë. Lojtarët në Itali nuk lejohen të luajnë me një defibrilator ose stimulues ritmi, përcjell GazetaBlic Sport.
Agjenti i Eriksen, Martin Schoots dha një përditësim mbi planet e klientit të tij, duke i thënë Gazzetta dello Sport se “ai është në gjendje të mirë fizike, jam optimist se ai do të kthehet në fushë sepse futbolli është pasioni i tij.
“Ishte e qartë se do të përfundonte kështu, për fat të keq. Italia është i vetmi vend që nuk të lejon të luash apo stërvitesh me defibrilator.”
Agjenti më pas theksoi synimin e 29-vjeçarit danez për t’u thënë lamtumirë tifozëve të Interit pas pushimit të Krishtlindjeve. “Për momentin ai u ka thënë vetëm lamtumirë drejtuesve, por së shpejti do të takohet me shokët e skuadrës.
“Ai dëshiron të vijë në San Siro në janar për këta tifozë që janë të çmendur pas tij. Ata e donin shumë dhe kur e njohën e vlerësuan edhe njeriun. Kjo është diçka që shkon përtej futbollit dhe do të mbetet përgjithmonë”. tha ai.
/GazetaBlic Sport/


