Partizani është pa një Drejtor Sportiv, që prej largimit të Arbër Abilaliajt. Ndërkohë që kjo situatë duket se po merr fund. Burime jozyrtare për “Newsport.al”, mësojnë se klubi i kuq ka “piketuar” drejtorin e ri.
Bëhet fjalë për Agim Ibraimin, i cili së fundmi ka mbajtur këtë rol tek rivalët e përjetshëm, Tirana. Megjithatë, rezultatet e dobëta bënë që klubi bardheblu të përfundonte bashkëpunimin me Ibraimin.
Ndërkohë që tashmë, tetovari përflitet për një marrëveshje të arritur me Partizanin. Pritet të shihet nëse Gaz Demi do t’i besojë ish-it të Tiranës “karrigen” që prej kohës tek të kuqtë është e boshatisur, pasi asgjë nuk është ende e sigurt.
Nëse diçka e tillë do të ndodhte, padyshim që do të ishte një nga surprizat e Superiores për këtë sesion merkatoje. Kalimet nga Tirana te Partizani gjithmonë kanë bërë bujë, e sidomos tashmë kur bëhet fjalë për poste drejtuese.


