Në prezentimin e pikës programore të radhës, nga platforma e re qeverisëse, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, sot premtoi zgjerimin e parkut të pishave Liria, edhe për 18 hektarë të rinj.
Sipas Aliut, ky park ekzistues dhe shumë i frekuentuar nga qytetarët e Ferizajt, gjatë mandatit të tij të ardhshëm, përveç se do të zgjerohet në një hapësirë të re dhe jashtëzakonisht të madhe prej 18 hektarësh, ai do të bëhet edhe me një infrastrukturë moderne, piktoreske dhe rekreative.
Përveç shtigjeve të reja të ecjes, që tashmë janë shumë të nevojshme, në këtë park parashihet të ketë edhe shumë kënde lojrash për fëmijë, kënde rekreacioni dhe fitnesi, si dhe ajo më interesantja, një amfiteatër kulturor, i cili do të shfrytëzohet nga të rinjtë, si dhe nga grupet e klubet kulturore e sportive të qytetit të Ferizajt.
Vlen të ceket se zgjerimi i parkut Liria, bën pjesë në grupin e premtimeve të Agim Aliut për një platformë të re qeverisëse katër vjeçare, kryetemë e së cilës, sipas tij, do të jetë e gjelbërta!