Drita arriti një rezultat pozitiv në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Feyenoord në UEFA Conference League.
Të drejtuarit e Ardian Nuhiut barazuan pa gola 0 me 0 ndaj gjigantit holandez, shkruan GazetaBlic Sport.
Njeriu i parë i futbollit kosovar, Agim Ademi, e ka uruar skuadrën e Dritës për suksesin e arritur në ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës ndaj Feyenoordit në turin e dytë të kësaj gare.
“Sonte dua të uroj Dritën për lojën shumë të mirë dhe për angazhimin maksimal të shfaqur kundër gjigantit holandez, Feyenoord. Barazimi 0:0 kundër një klubi të tillë është një sukses për Dritën dhe për futbollin tonë, edhe pse realisht rezultati baras nuk sjell ndonjë siguri të madhe për ndeshjen e kthimit. Gjithsesi, të luash kaq mirë si teknikisht, ashtu edhe taktikisht ndaj skuadrave të tilla gjigante pa dyshim ka vend për urime, andaj me këtë rast përgëzoj trajnerin e po ashtu edhe futbollistët për lojën e sotme. Gjithashtu, falënderoj edhe tifozët për atmosferën e krijuar dhe të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e kësaj ndeshjeje. Vazhdimësia e lojërave të tilla cilësore po tregon se liga e Kosovës po vjen në nivelin ku e ka vendin dhe po dëshmohet se kemi futboll cilësor.
Uroj tifozët e Dritës dhe të gjithë dashamirët e futbollit! Shpresoj se edhe në ndeshjen e kthimit në Roterdam do të na prezantoni denjësisht. Urime Drita!. Me respekt, A.A.”, ka shkruar Agim Ademi në faqen e tij në rrjetin social Facebook derisa lajmi është publikuar edhe në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ndryshe, Prishtina të martën arriti sukses në garën e njëjtë (Liga e Konferencës), duke e mposhtur kampionin e Uellisit, CQ Nomads, duke fituar me rezultat 4:1 në takimin e parë. Njeriu i parë i FFK-së, Ademi, nuk është kujtuar që ta urojë klubin më të madh kosovar as në faqen zyrtare të FFK-së e as në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ani pse me këto fitore futbolli ynë po ngitet dita-ditës në arenën ndërkombëtare.


