Lajme

Afera “Gruri”, paditja, Gjykata Komerciale e Kushtetuese- Krejt çka ndodhi javën që lamë pas!

08/06/2023 09:42
nga:Genita C

Pas aferës “Vaji”, janë publikuar incizime të reja në Ministrinë e Tregtisë së drejtuar nga Rozeta Hajdari. 

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në këto incizime bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar. Ata përmendin me emra disa zyrtarë si Hafiz Gara, Rexha, Arbëri, këshilltari (që nuk dihet nëse është fjala për këshilltarin e ministres, apo të ndonjë zyrtari tjetër).

Krejt përgjimi tregon për zyrtarin Enver Hajruallahu që me pozitë është certifikues. Ndaj tij kishte presione të mëdha për ta nënshkruar kontratën rreth grurit, edhe pse disa ton mungonin.

Sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Vlera e grurit që mungonte sipas bisedave, del të ishte rreth 6 milionë euro. Kjo duket se kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet disa zyrtarëve në Ministrinë e Rozeta Hajdarit.

“Edhe tash unë nuk lëshojsha pe, se mungojke një sasi në vlerë prej 6 milionë”, dëgjohet teksa flet një zyrtar.

“Unë i kam thanë nuk e paguaj për qetë punë për qetë punë, se tash ky shpediteri ky që e ka pas (nuk kuptohet) e ka pasur edhe shpedicionin, ai thojke e kam pru, shpediteri thojke mungojnë 9 tonë, këta thojshin mungojnë pak ma shumë, se aty në kontratë thuhet se duhet me i sjellë 10 mijë tonë me nen nuk duhet me humb asnjë pike rrugës”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë.

Ndaj këtij përgjimi, Ministrja e Ministrisë së Infrastrukturës, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjithashtu ajo ka paditur zyrtarin e MINT, Enver Hajrullahu.

“Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë”, ka shkruar Hajdari.

Sipas ministres, shpifjet dhe të pavërtetat s’duhet të lejohen të shndërrohen në diçka të zakonshme.

Krahas këtij përgjimi, ngjarje tjetër ishte edhe vendimi i Gjykatës Komerciale që aporovoi kërkesën e Klan Kosovës., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve, deri në vendimin përfundimtar gjyqësor.

Meqenëse në rastin konkret sipas dokumentacionit, rezulton se paditësi ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe për këtë, gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik.

VENDIMI I PLOTË

Ndërsa të enjten, Gjykata Kushtetuese ka publikuar njoftimin ku i ka hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publik, por i ka shpallur kundër kushtetues disa nene të këtij ligji.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, e njëjta ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën.

“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Po ashtu, sipas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese e ka obliguar Kuvendin që në afatin prej 6 muaj nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit në raport me nenet e shfuqizuara nga kjo gjykatë.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës nuk munguan reagimet edhe reagimet e opozitës, teksa kritikuan kryeministrin Kurtin si shkelës të Kushtetutës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publikë për pranimin e kërkesave të PDK-së dhe LDK-së që të ndryshohen disa nene të këtij ligji, ka thënë se “kjo është fitore e radhës e demokracisë” dhe u dedikohet të gjithë qytetarëve, raporton GazetaBlic.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese për të shtatën herë më radhë konfirmon “veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe të njëjtën ta kthejë në çerdhe të militantëve, familjarëve dhe partisë së tij”.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se pushteti mori karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese.

“Sot, fitoi ligjshmëria, fitoi kushtetutshmëria. Humbi mundësia e kapjes së radhës, humbi beteja kundër zyrtarëve publikë. Humbi mendësia shkatërruese – antikushtetuese”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se sikur Kosova të ishte anëtare e BE-së, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Zyrtarët Publik është antikushtetues, është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Tahiri. /GazetaBlic/