Lajme

Afarist i suksesshëm në Gjermani, Mehmet Klinaku synon të jetë në Kuvend urë lidhëse me diasporën – ky është plani i tij

12/25/2025 10:14
nga:G B

Mehmet Klinaku, kandidat për deputet nga AAK, është afarist i suksesshëm në Gjermani.

Ai në listë mban numrin 39 dhe kandidon për herët të parë për deputet të Kuvendit të Kosovës, teksa synon që të bëhet urë lidhëse e diasporës me Kosovën.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se diaspora prej kohësh është dashur të ketë disa përfaqësues në Kuvend, teksa shton se duhet bërë lidhje të kompanive të huaja që të vijnë në Kosovë për investime.

“Prioriteti im kryesor ndoshta edhe pse kam ardhur është me bë një urë lidhëse mes diasporës apo mërgatës sonë me Kosovën, ajo urë lidhëse bëhet në mënyrë direkte, jo veç me tentu me thanë diaspora na duhet neve edhe me ia marrë veç votën por ta lënë atë të ketë një përfaqësues të tyre në Kuvend. Pse jo kjo të rregullohet edhe me Kushtetutë dhe Ligj që vota e tyre të shkojë në drejtim të duhur, t’i ketë 2-4 kandidatë që e mbrojnë interesin e tyre, i shfaqin problemet e tyre sepse këto zgjidhen vetëm me diplomacinë e Kosovës, pasi ne nuk mundemi si individë me diplomacinë e Gjermanisë me e pas ndonjë problem edhe me e zgjidhë atë. Kjo bëhet me diplomacinë e Kosovës, edhe në dobi të qytetarëve që jetojnë atje. Si kryesore e shoh ta bëj edhe ndërlidhjen mes kompanive që janë atje me kompanitë që janë këtu në Kosovë që të bëhet edhe zhvillimi ekonomik shumë i shpejtë dhe po të kem një mbështetje të dyanshme e shoh që mund të bëj shumë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Klinaku ka folur për atë se pse deri tani ka munguar kjo ura lidhëse mes Kosovës dhe diasporës.

Ai tregon se ka pasur përvoja personale ku ka hasur në dyer të mbyllura në ministri, kur ka dashur të zhvillojë biznese në Kosovë.

“Unë kam pas edhe përvoja personale që kam tentuar të vij dhe të zhvilloj ndonjë lloj biznesi me shokë që jemi atje dhe kemi disa biznese shume të mira, kemi tentuar të vijmë që t’i zhvillojmë të njëjtit këtu por kemi hasur në dyer të mbyllura pa asnjë interes për të na ofruar zgjidhje apo për të na orientuar se çfarë dokumentesh na duhen. Dera e parë që kemi hasur te ata ka qenë e mbyllur, pa marrë parasysh në cilën ministri, në Ministrinë e Mjedisit kam pas përvojë ku kemi tentuar të qasemi dhe kam hasur në vesh të shurdhër”, ka potencuar ai.

Por, çfarë do të bëjë ai si deputet që të krijojë lehtësisë e të mos ketë probleme të tilla, nëpër të cilat ai vetë ka hasur?

“Jemi në një situatë që mërgata jonë është ekonomikisht shumë mirë, duke vazhduar duke e mësuar zanatin, në atë fushë që ne veprojmë jemi duke tentuar të rritemi, e kemi njëfarë baze që kemi respektin sot edhe nga shteti gjerman, pse mos të tentojmë ta sjellim në Kosovë. Ne jemi në lëminë për ndërtimin e kulmit me shumë kryepunëtorë që e dinë punën që janë shumë të kualifikuar në këtë aspekt, të tentojmë t’i sjellim këtu, ta bëjmë një urë lidhëse. Tjetër urë lidhëse apo mundësi është me e bë një tokë në Kosovë, p.sh 10 hektarë apo 15 që ata të kenë një park nacional investues që ata të vijnë direkt aty, që të jetë një person që merret direkt me ta, p.sh. unë mund të jem aty në këtë aspekt dhe t’ua mundësoj qasjen në dokumente, lehtësim në tatim në vitin e parë, kur ata duan të vijnë këtu, pse mos t’u lehtësohen disa gjëra, është interes i dyanshëm edhe i Kosovës edhe i atyre që jetojnë atje, që të bëhet një  ndihmesë shumë e madhe që kjo të reflektohet edhe te qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Mehmet Klianku./Gazeta Blic/