Sporti

Adriano Del Monte flet nga Milano para ndeshjes: ‘Rossonerët’ duhet të besojnë, Interi skuadër më e kompletuar

05/16/2023 10:02
nga:Mergim Rreci

Një spektakël i madh pritet sonte në Ligën e Kampionëve.

Interi dhe Milani përballen në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales të këtij kompeticioni.

Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 2 me 0 në të mirë të ‘Neruazzurëve’, të cilët kanë avantazh të madh dhe janë favoritë për të kaluar në finalen e madhe.

Megjithatë, Milani ka dëshmuar në të kaluarën që është një skuadër e madhe në këtë kompeticion dhe kërkon përmbysjen e madhe, duke shpresuar që edhe njëri nga futbollistët më të rëndësishëm, Leao të jetë gati pas lëndimit që e pësoi para dy javësh ndaj Lazios.

Gazetari shumë i njohur nga Milano, Adriano Del Monte, është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ në lidhje me këtë takim, atje ku tha se në futboll gjithçka është e mundur dhe se tifozët e Milanit kanë ende arsye për të besuar, pavarësisht se do të jetë shumë vështirë.

Sigurisht në futboll gjithçka është e mundur. Tifozët e Milanit kanë ende arsye për të besuar, sepse është në të mirën e tyre. Problemi tek ‘Rossonerët’ ka qenë mungesa e konsistencës dhe në këtë fazë Interi është një skuadër më e kompletuar, në formë shumë më të mirë. Do të jetë e vështirë, por edhe pa Bennacer dhe ndoshta Leao, ka ende shpresë. Një gol i hershëm është i rëndësishëm për motivin më pas“, tha fillimisht Del Monte.

Më pas, ai foli edhe për rëndësinë e madhe që ka Leao tek skuadra e Milanit, ku tha se vetëm prania e tij do të ishte një motvi i madh për skuadrën.

“Kjo është ndeshja e sezonit për Milanin. Për mua, nëse Leao është edhe gjysmë në formë, ai duhet të luajë. Vetëm prania e tij do t’i japë një shtysë skuadrës. Kam mbuluar shumë ndeshje të Milanit në fushë në sezonet e fundit, dhe kur Leao është në fushë Milani është një ekip tjetër. Megjithatë, nëse nuk është plotësisht i aftë, do të jetë e vështirë ta shohësh atë të ndikojë mjaftueshëm në ndeshje për të përmbysur rezultatin”, përfundoi ai.

Kujtojmë që ky takim zhvillohet me fillim nga ora 21:00, me fituesin që do të përballet në finale me njërën skuadër nga çifti tjetër, Manchester City – Real Madrid.

/GazetaBlic Sport/