Ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçeviq iu drejtua publikut duke pretenduar se ushtria e tij e ka rrëzuar një dron që, sipas tij, fluturonte nga drejtimi i Jarinjës.
“Ushtria serbe, me urdhër të presidentit të Republikës si komandant i përgjithshëm, ka vepruar ndaj një droni zbulues që vinte nga drejtimi i Jarinjës në drejtim të kazermës në Rashkë. Ushtria serbe e mbrojti qiellin mbi Serbinë dhe nuk kemi pengesa administrative për funksionimin e ushtrisë serbe”, ka pretenduar Vuçeviq, transmeton tabloidi i pushtetit serb “Informer”.
“Kjo tregon se ne nuk po kërcënojmë askënd, nuk po provokojmë askënd, ne vetëm po mbrojmë qiellin dhe qytetarët tanë. As ju mos na sfidoni as neve, të kthehemi në tryezën e bisedimeve, kjo është krenari për qytetarët e Serbisë, dhe ky është një mesazh për të gjithë ata që nuk ia dëshirojnë të mirën Serbisë se nuk po tallemi”, vazhdon Vuçiqeviq, me fjalor tashmë të njohur të politikanëve serbë të kohës së Millosheviqit, përcjell Paparaci.
“E përsëris, siç ka thënë edhe presidenti ynë, le t’i kthehemi dialogut, ushtria serbe është serioze. Unë besoj se këta dronë nuk po fluturojnë pa arsye, por mbi objekte ushtarake të cilat i ka vëzhguar. Të gjitha agjencitë e sigurisë, ushtria dhe kushdo që kujdeset për sigurinë do të vazhdojë të kujdeset për vendin tonë. E përsëris, ne nuk jemi në luftë, nuk jemi për vendimeve të njëanshme, për përshkallëzim, jemi për qetësimin e tensioneve, por kjo nuk do të thotë se jemi të dobët, se jemi frikacakë, se kemi frikë. Mos e provokoni ushtrinë serbe, sepse do të veprojnë sipas urdhrit të komandantit të përgjithshëm Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Vuçeviq.


