Lajme

Admirali Munsch takon Kurtin, bisedojnë për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

08/27/2024 18:56
nga:Sh R

Admirali amerikan Stuart Munsch është takuar sot në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Komanda e Napolit përmes një komunikate ka bërë të ditur se biseda ka qenë e fokusuar në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të një sigurie të qëndrueshme për të gjitha komunitetet përmes përkrahjes së NATO-s për dialogun Kosovë – Serbi.

“Komandanti i JFC Naples, Admirali Stuart Munsch, u takua sot me z. Kurti në Prishtinë, Kosovë. Diskutimet e sotme u përqendruan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në të gjithë Kosovën dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Munsch sot gjatë ditës është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas dhe ka realizuar një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.