Sporti

Adil Maliqi për ndeshjen Zvicër – Kosovë: Kurrë nuk kanë qenë gjasat më të mëdha për fitore, Avdullahu është prurje e mirë – e kam propozuar para dy vitesh!

09/03/2025 17:55
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës të premten e nis ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2026, ku përballet me Zvicrën në udhëtim.

Zvicra dhe Kosova ballafaqohen në “St. Jacob Park” me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen e parë të grupit B të kualifikimeve për Botëror, shkruan GazetaBlic Sport.

Ish trajneri i Kosovës U19, Adil Maliqi, i cili vazhdon jeton dhe punon tani në shtetin e Zvicrës, potencon se Kosova ka gjasa të mëdha për fitore në ndeshjen e së premtes, pasi Zvicra nuk ka zhvilluar ndeshje të mira së fundmi dhe se mungesa e Jasharit e pensionimi i Shaqirit do të ndikojnë në lojë.

“Unë mendoj që gjasat kurrë nuk kanë qenë më të mëdha se këtë të premte, në çdo aspekt, pasi Ardon Jashari i mungon Zvicrës dhe në kualifikimet e fundit nuk kanë qenë në formë, poashtu po vërehet shumë mungesa e Shaqirit pasi ka qenë lojtari kreativ i tyre dhe i zgjidhte ndeshjet. Mendoj se nëse i studiojmë mirë, kemi gjasa për fitore”, tha fillimisht Adil Maliqi për ‘GazetaBlic Sprot’.

Maliqi thotë se e kishte propozuar para dy vitesh Leon Avdullahun, por nuk u mor parasysh, ndërsa thotë se me të ‘Dardanët’ janë më të fortë.

“Leon Avdullahu është një prurje shumë e mirë, e kam vëzhgu para dy viteve, por nuk më kanë dëgjuar FFK, e pata propozuar, më pelqente prej kohës së Baselit, por pasi nuk ishte te gjenerata ime, nuk kisha kontakte personale, por e propozova. Me ardhjen e tij, Kosova është më e fortë se që ka qenë më herët”, tha ndër të tjerash Maliqi.

Në fund, trajneri i cili kishte suksese të mëdha me grupmoshat e Kosovës, tha se gjasat për kualifikim në Botëror janë 50-50.

“Gjasat për m’u kualifiku në Botëror janë 50-50. Është një grup që secili mund të mposht secilin”, përfundoi ish selektori i kombëtares U19 të Kosovës.

Kosova ndodhet në grupin B, bashkë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

/GazetaBlic Sport/