Lajme

Abrashi thotë se Komisioni për Energjinë do ta vërtetojë se kriza energjetike është menaxhuar mirë

05/17/2022 00:06
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i cili do të jetë pjesë e Komisionit Hetimor për Energjinë, e sheh themelimin e këtij komisioni si mundësi të mirë për t’u dhënë fund spekulimeve nga opozita, njofton Klan Kosova.

“Sot ka qenë mbledhja e parë e këtij komisioni themeluar nga Kuvendi i Kosovës, zakonisht mbledhjet e para janë të natyrës konstituive nuk është që merret ndonjë vendim, shumë deputetë shkaku i agjendës, së paku unë po, i agjendës së ngjeshur nuk kemi mundur që të jemi pjesë”, ka thënë Gashi.

“Ne nuk presim diçka të veçantë. Duke lexuar kërkesën e opozitës për themelim të këtij komisioni e cila është shoqëruar edhe me 40 nënshkrime ashtu siç e kërkon edhe ligji. Thjesht objekt hetimi janë disa vendime tashmë publike të qeverisë së Kosovës, edhe veç një gjë të hairit çka shoh këtu është mundësia që përfundimisht të sqarohen të gjitha ato spekulime dhe të pavërteta që vazhdimisht janë lansuar në publik nga opozita edhe do të kemi rastin që të njoftohemi më mirë për ata që janë të interesuar ta përcjellin punën e këtij komisioni”.

Abrashi tha se arsyeja se pse pozita nuk është pajtuar për këtë komision ka qenë kërkesa për kohështrirjen hetimore që nga viti 2006 pasi që sipas tyre mund të zbulohen skandale që mund të kenë ndodhur shumë vite më përpara.

“Në momentin kur është kërkuar nga opozita, themelimi i një Komisioni Hetimor për çështjen e energjisë elektrike, ne jemi pajtuar pa asnjë mëdyshje kështu. Por s’e kemi kërkuar që ta plotësojmë kërkesën edhe me sugjerimet tona. Në kuadër të atyre sugjerimeve kemi kërkuar që kohështrirja hetimore të jetë më e madhe pra nga viti 2006 sepse ne konsiderojmë që shumë çështje, probleme të mëdha, skandale të cilat thjesht kanë qenë lajme mediatike”.

“Nuk janë sqaruar e meqë për herë të parë e kemi një komision hetimor që merret ekskluzivisht me hetimin që ka të bëjë me furnizimin me energji elektrike , çështje që kanë të bëjnë me KEK-un, me KOST-in me ZRrE-në të kenë një kohështrirje hetimore nga viti 2006 e deri më tash, kjo kategorikisht aty është refuzuar prej opozitës bile i kemi parë shumë sjellje të tyre të papërmbajtura, stresuese, besa nëse mundem me i qujt edhe histerike vetëm e vetëm për të mos e lejuar me arsyetimin që nuk dëshirojnë ta ndryshojnë objektin e kërkesës së tyre, gjithsesi në fund e pamë që ndoshta më mirë do të ishte ashtu menduam që të pranohet, natyrisht se që nga fillimi ne ishim që të themelojmë në komision hetimor me mundësinë që të sqarohet e vërteta edhe pse botërisht dihet ajo dhe arritëm ta bëjmë një konsensus të përbashkët që t’i kemi dy komisione hetimore, njëri i cili do të merret me hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me furnizim me energji elektrike nga dhjetori nëse nuk gaboj i vitit të kaluar deri në prill, edhe komisioni i dytë që ka të bëjë me hetimin e shumë çështjeve që ndërlidhen nga viti 2006 deri në vitin 2022”.

Ai tha se të gjitha mbledhjet e këtij komisioni do të jenë të hapura, teksa insistoi se kriza energjetike në Kosovë ishte menaxhuar mirë dhe se këtë do ta vërtetojë edhe konkludimi që do të vijë nga ky komision.

“Të gjitha takimet mbledhjet e këtij komisioni do të jenë të hapura do të jenë publike. Nuk kemi asnjë gjë për të fshehur, qeveria e Kosovës konsideroj që ka qenë shumë transparente gjatë gjithë kësaj kohe, që nga koha kur është shpallur me vendim të Kuvendit kriza energjetike në Kosovë, janë ndërmarrë vendimet konform atij vendimi me qëllim që Republika e Kosovës ta kalojë me sa më pak pasoja këtë krizë dhe të mos kemi ndërprerje të energjisë elektrike e cila do të shkaktonte një efekt domino të pasojave të shumta duke filluar që nga çmimet që nga shtrenjtimi i produkteve e shumë e shumë problematika të tjera të cilat do t’i përcillte kjo krizë”.

“Është menaxhuar shumë mirë, konsiderojmë ne, dhe kjo do të vërtetohet menjëherë si të fillojë punën ky komision”.

Abrashi shtoi se hetimet do t’i kryejnë ekspertë të pavarur dhe të përgatitur të cilët do ta përgatisin një raport përfundimtar mbi këtë procedurë hetimore e cila do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.