Lajme

Abrashi: As Qeveria e as BQK-ja nuk janë zmbrapsur për dinarin serb

02/12/2024 21:48
nga:G B

Artan Abrashi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaron se as Qeveria e Kosovës e as Banka Qendrore e Kosovës nuk janë zmbrapsur pas vendimit të kësaj të fundit, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Abrashi ka thënë se tashmë BQK-ja e ka publikuar planin e veprimit se di do të bëhet implementimi i rregullores.

Ai ka shtuar se kalimi në një valutë tjetër kërkon një periudhë tranzicioni.

“Kjo rregullore ka qenë prej dhjetorit në hartim, prej janarit ka hyrë në fuqi. Sot, BQK i ka publikuar në njëfarë mënyre planin e veprimit, se dikush tha se është zmbrapsur Qeveria, as qeveria, as BQK-ja, nuk është zmbrapsur. Sot është publikuar plani i veprimit se si do të bëhet implementimi i rregullores së BQK-së. Kjo periudhë e tranzicionit sepse nga shfrytëzimi i dinarit si mjet këmbimi në veri, kalimi në një valutë tjetër, natyrisht që kërkon një periudhë të tranzicionit…”, u shpreh Abrashi.

Ai e konsideron si vendim të drejtë dhe të domosdoshëm e që, sipas tij, vendimi i BQK-së ka ndihmuar që të vështirësojë që në të ardhmen të hyjnë “thasët me dinarë” në Kosovë, me anë të cilëve, sipas Abrashit, janë financuar aktivitetet kriminale.