Lajme

Abelard Tahiri: Përpjekja e Qeverisë për të hetuar ‘krimet’ deri në fund të 2000-tës i shkon përshtat kryerësve të gjenocidit

10/08/2022 20:04
nga:Y I

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, sërish ka pyetur se për çfarë krime të luftës po synon të hetojë kryeministri Albin Kurti pas përfundimit të luftës në qershor 1999.

“Si mund të kryhen “krime të luftës” pasi që lufta të ketë marrë fund?” pyet Tahiri .

Tahiri shkruan se përpjekja e Qeverisë Kurti për t’i hetuar krimet e luftës deri në fund të vitit 2000, i shkon përshtati atyre që e kanë kryer gjenocid në Kosovë.

Kritikat e njëjta Tahiri i bëri edhe dje në seancën plenare ku u miratua në lexim të parë ky projektligj.

Postimi i plotë:

Çfarë “krimesh të luftës” po synon të hetojë Albin Kurti pas përfundimit të luftës në qershor të 1999?! Si mund të kryhen “krime të luftës” pasi që lufta të ketë marrë fund?

Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999. Hulumtimi i krimeve të luftës duhet të vazhdojë e të institucionalizohet.

Por përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë një ligj që synon të hetojë e hulumtojë “krimet” që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor, 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë.

31 dhjetori i 2000-tës, është epitomë e Serbisë që përpiqet t’ia ndërrojë kahjen historisë dhe të gjejë amnisti për gjenocidin e kryer. Ne do ta kundërshtojmë me çdo mjet politik tjetërsimin e historisë përmes ligjeve të dëmshme, antihistorike e antikombëtare.