Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se vendi udhëhiqet nga një mazhorancë shumë e papërgjegjshme që nuk arrin t’i ketë 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka akuzuar mazhorancën në kuvend për dështimin e miratimit të projektligjeve.
Pas shtyrjes së seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit në vendimmarrje, Tahiri tha se legjislativi tashmë është në një kaos parlamentar.
Ai tha se partia në pushtet është e papërgjegjshme duke lënë më shumë se 50 pika të papërfunduara.
“Vendi tashmë drejtohet nga një mazhorancë shumë e papërgjegjshme, nga një mazhorancë e cila nuk arrin t’i ketë 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu nga një mazhorancë e cila ka lënë më shumë se 50 pika, projektligje, marrëveshje ndërkombëtare të pavotuara që nga viti i kaluar. Ne jemi duke përfunduar muajin e katërt të këtij viti dhe kemi ende pika të papërfunduara të agjendës së vitit 2022. Kjo mënyrë e papërgjegjshme e drejtimit të këtij Kuvendi nga kjo mazhorancë normalisht se duhet të ketë një fund diku. Nuk mund të vazhdojë kështu dhe nuk mund të ketë projektligje të rëndësishme për vendin të pavotuara… Ky është reflektim se si është duke qeverisur vendi sot nga kryeministri Kurti dhe nga kjo qeveri. Absolutisht jemi në një kaos parlamentar, jemi në një situatë kaotike që ka krijuar kjo mazhorancë dhe kjo qeveri”, tha ai.
Përndryshe, paraprakisht dështoi të mbahet seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, që fillimisht ishte paraparë të niste në orën 10, por për mungesë të kuorumit ajo u shty për në 12 e 30, por për problemin e njëjtë ajo prapë u shty, por tani për një ditë tjetër.
“Prapë nuk ekziston mundësia për të vazhduar, kështu që ju lajmërojmë për seancën tjetër”, u shpreh kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Më herët, Konjufca i kritikoi deputetët të cilët kanë munguar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Ai i quajti të papërgjegshëm, deputetët që mungojnë në këtë seancë.
“Qysh po e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve, unë nuk po mendoj që kjo legjislaturë e meriton me vazhdu”, tha ai.


