Lajme

Abdullahu: Mund të kemi sanksione nga SHBA-të për shkak të veprime të Qeverisë – PDK dëshiron zgjedhje

03/18/2024 15:04
nga:G B

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka shprehur sot zhgënjimin për mos zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, në ditën kur kjo marrëveshje bëri një vit nga arritja.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë presionin mbi Kosovën e Serbinë, që kjo marrëveshje të zbatohet.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se për të pasur marrëveshje me Serbinë të dobishme për vendin, duhet bashkëpunim me SHBA-të e aleatët tjerë.

“Që të kemi marrëveshje me Serbinë të dobishme për vendin tonë dhe qytetarët e Kosovës, duhet të ketë marrëveshje, bashkëpunim dhe konstruktivitet të vazhdueshëm me aleatët tanë në rend të parë me SHBA-të. Kjo tashmë mungon”, shprehet ai.

Abdullahu vlerëson se me Qeverinë Kurti Kosova është në epokë regresive dhe s’mund të përfitojë nga dialogu me Serbinë në këtë mënyrë.

“Me Qeverinë aktuale, Kosova ka hy në një epokë të re, por regresive sa i përket këtij rrugëtimi, sidomos në raport me SHBA-në. Nuk mund të përfitojë nga dialogu me Serbinë kjo Qeveri, nëse në të njëjtën kohë bënë monolog politik në veri dhe nuk ka koordinim me SHBA-në dhe BE-në”, thekson ai për Gazeta Blic.

Zëdhënësi i PDK-së potencon se derisa vendi është nën sanksione nga BE-ja, me veprimet e saj qeveria mund të na fusë nën sanksione nga SHBA-të.

“Kjo Qeveri na ka fut në sanksione. Me atë çfarë po bënë dhe me atë që nuk po bënë ajo, gjasat janë se më parë do të përfundojmë nën sanksione të reja sesa që të na hiqen këto që i kemi”, deklaron Faton Abdullahu.

Ai shton se “PDK-ja mendon se zgjedhjet janë zgjidhje, sa më parë që të mbahen ato aq më mirë për të gjithë ne”./Gazeta Blic/

Statovci i përgjigjet Borrellit: Presioni të jetë mbi Serbinë – Kosova s’mund ta zbatojë e vetme marrëveshjen e Ohrit

Një vit nga Ohri/ Analistët skeptikë për zbatimin e marrëveshjes: “Kurti do ta shtyjë Asociacionin kah fundi i mandatit”