Lajme

Abdullahu: Lista Serbe dhe Vetëvendosje u koordinuan në mendësi politike kundër veteranëve

06/15/2022 00:52
nga:Astrit Gashi

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, vlerëson se Lista Serbe dhe Lëvizja Vetëvendosje u bënë bashkë dhe u koordinuan me mendësi politike kur përjashtuan veteranët nga projektligji i pagës minimale.

“Ajo që ndodhi sot është tango politike e Lëvizjes Vetëvendosjes në Kuvend dhe Qeverisë Kurti 2 bashkë me Listën Serbe. Siç tha Kusari-Lila tek rastësisht u takuan në Kuvend dhe ashtu “iu tek” Listës Serbe të miratojë këtë projektligj”.

“Këto dy palë janë në të njëjtën anë dhe në të njëjtin tren që shkojnë bashkë, Lista Serbe e kuptoi se çfarë është Vetëvendosja dhe se si i sheh vlerat e luftës e gjëra të tjera për këtë u bënë bashkë”.

“Koordinim në mendësinë politike dhe mohimin e të kaluarës së Kosovës”, tha Abdullahu.

Abdullahu, në Klan Kosova, theksoi se si PDK ende nuk kanë qëndrim se a do ta mbështesin protestën e OVL UÇK-së të enjten, veçse për veteranët kanë bërë gjithçka në Kuvend.

“Nuk kemi qëndrim së paku unë kam komunikuar sot por nuk e kam takuar kryetarin. Nuk mund të them që kemi qëndrim pro a kundër por në Kuvend kemi bërë gjithçka. Nuk i lëmë veteranët të poshtrohen në këtë mënyrë – asnjëherë”, tha ai.