Lajme

Abdullahu: Asnjëra palë në dialog nuk është e interesuar të ecë përpara

10/25/2024 18:25
nga:Sh R

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka thënë se as Kosova dhe as Serbia nuk duket të jenë të interesuara për ndonjë zhvillim pozitiv në dialog aktualisht.

Po ashtu, sipas Abdullahut vërehet mungesë prirje për tu koordinuar me faktorin ndërkombëtar e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Duket se dy palët nuk janë të interesuara që të ketë zhvillime pozitive tani. E kanë marrë me avashllëk në kuptimin që nuk po iu ngutet. Duket se nga distanca Kurti dhe Vuçiq komunikojnë më mirë dhe merren vesh më mirë me të tjerët, ose sesa Kurti me të tjerët në shtëpinë e tij për të mos qenë konkret për sa i përket dialogut. Si duket ka mungesë prirje për t’i koordinuar punët me faktorin ndërkombëtar konkretisht me SHBA-të”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në tëvë1.

Tutje ai ka shtuar se çështja e dialogut duket se do të mbetet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit për çka e ka kritikuar qeverinë Kurti sepse për të ka pasur kohë mjaftueshëm për të bërë diçka.

“Mund të thuhet mbase pa shumë hezitim që kjo çështje po mbetet pas zgjedhjeve. Është jo e mirë, ka pasur vite të tëra kjo qeveri për të bërë hapa konkret shumë më shumë kreativ për të shtrirë sovranitetin e mirëfilltë atje duke u bazuar në të drejtën e qytetarit”, është shprehur Abdullahu.

Të enjten kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Bislimi ka thënë se takimi mes tij dhe homologut serb, Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa ndonjë rezultat, sa i përket ecjes përpara drejt normalizmit të raporteve.

Ndërsa, Lajçak, ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë temë diskutimi në këtë takim si dhe ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për një sërë çështjesh tjera të rëndësishme nga marrëveshjet e kaluara si dhe janë pajtuar për hapat e ardhshëm.