Lajme

Abdixhiku viziton Deçanin pas helmimit të mbi 1500 qytetarëve: Jemi të brengosur!

07/13/2021 20:52
nga:M K

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot Deçanin pas shpalljes së gjendjes emergjente, pas helmimit të 1500 qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Abdixhiku ka thënë se janë të brengosur dhe se bashkëndjejnë për shëndetin e tyre, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Sot, me bashkëpunëtorë, vizitova Deçanin pas gjendjes emergjente të shpallur si rrjedhojë e helmimit të mbi 1500 qytetarëve tanë. Të gjithë jemi të brengosur dhe bashkëndjejmë për shëndetin e tyre.
Gjendja është e rëndë; me fëmijë, gra e burra të shtrirë. Por kjo s’është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh. Përkundrazi, është koha për ndihmë. Prandaj, së bashku me Gazmend Muhaxherin, Kryetarin e Pejës, Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjothashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit.
Në emër të LDK-së, falënderoj stafin shëndetësor në Deçan dhe gjithë ekipet tjera ndihmëse që po kujdesen ditë e natë për qytetarët tanë. U bëj thirrje të gjithëve, pa dallim, të jemi afër njëri-tjetrit në orë si këto e t’i shtojmë përpjekjet tona kudo që ka nevojë.
Në fund, më lejoni që t’i siguroj të gjithë ata që në këto momente po e vuajnë këtë gjendje me shëndetin e tyre, se ata dhe familjet e tyre nuk janë vetëm.

/GazetaBlic/