Lajme

Abdixhiku: Sot kujtojmë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin, UÇK-në dhe ata që dhanë jetën për liri

06/12/2021 11:36
nga:M K

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar të gjithë ata që dhanë kontribut deri në pavarësinë e Kosovës.

Në 22 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s, Abdixhiku ka thënë se asnjëherë s’mund të harrohet puna që NATO me të gjitha kontingjentet e saj ka bërë në Kosovë.

Ai gjithashtu ka kujtuar edhe presidentin Ibrahim Rugova, komandantin Adem Jashari, UÇK-në dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri.

“Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Komunikata e plotë:

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujton dhe falënderon të gjithë ata që dhanë kontribut deri në pavarësinë e Kosovës, në 22 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s.

“Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. Njëzet e dy vjet më parë, NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, shënoi fillimin e fundit të luftës së kahmotshme në Kosovë.

Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO me të gjitha kontigjentet e saj ka bërë në Kosovë edhe në kohën e intervenimit 78 ditë dhe netë që i dhanë fund gjenocidit e masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe mundësuan kthimin e qindra mijëra refugjatëve në shtëpitë e tyre.

Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë u vu në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë.

Sot, ne shprehim mirënjohjen e thellë për Aleancën Veriatlantike dhe bashkësinë ndërkombëtare që u vunë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë për Liri, Pavarësi e Demokraci.

U jemi thellësisht mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së vendit tonë.

Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë.”