Lajme

Abdixhiku: Sa më të mëdha tubimet tona, aq më të larta bëhen britmat e piskamat

01/13/2025 11:01
nga:G C

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka theksuar se sa më shumë të rriten tubimet dhe mbështetja popullore, aq më të forta bëhen përplasjet dhe tensionet, raporton GazetaBlic.

Ai ka apeluar për bashkim, duke u theksuar se Kosova nuk ka kohë për ndarje dhe përçarje.

Ai ka shprehur se Kosova është një dhe e vetme, duke përjashtuar ndarjet mes individëve, partive dhe epokave.

Abdixhiku ka theksuar se Republika e Kosovës është ëndrra e gjithë qytetarëve të saj dhe se ndryshimi është misioni i përbashkët i të gjithëve.

Postimi i plotë:

Sa më të mëdha tubimet tona;

Sa më e madhe mbështetja popullore;

Aq më të larta bëhen britmat e piskamat!

Por, për një moment, mendoni në duar të kujt e keni fatin tuaj, fëmijëve tuaj e të familjeve tuaja!

Kosova, megjithatë, kohë për të humbur në ndarje e përçarje nuk ka. Kësaj marrëzie duhet t’i dalim në ballë të gjithë! Kjo nuk është Kosova jonë. Kjo nuk është sjellja jonë. Kjo nuk është ëndrra jonë.

Prandaj sot unë nuk jam para qytetarëve as për të nxitur urrejtje për tjetrin e as për t’ju mbushur plot helm e vrer për tjetrin. Unë nuk ju ndaj në tradhtarë e patriotë, me mua apo me Serbinë.

Sot qëndroj para jush t’ju them se nuk ka Kosovë të partive. Nuk ka Kosovë të individëve. Nuk ka Kosovë të epokave. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme, ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme, ka një adresë dhe një adresë të vetme, ka një atdhe dhe një atdhe të vetëm.

Republika jonë është vetë ëndrra jonë!
Ndryshimi sot, është misioni jonë!