Lajme

Abdixhiku: Qeveria Kurti po i vjedh bujqit, ndryshimi po vjen dhe do t’i kthejmë çdo qindarkë

11/20/2024 11:04
nga:G C

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj trajtimit të bujqve të Kosovës nga shteti, duke theksuar se këta bujq punojnë pa reshtur, por produktet e tyre humbin pa u shpërblyer, ndërsa fatkeqësisht nuk kanë lidhje me ata që përfitojnë nga fondet e shtetit, raporton GazetaBlic.

Abdixhiku tregoi për një takim me disa bujq, të cilët janë të detyruar të punojnë gjatë gjithë vitit, por gjithsesi nuk shohin asnjë shpërblim për mundin e tyre.

“Kam takuar bujq që punojnë një vit të tërë për t’i humbur produktet e bëra me mund dhe me zemër. Ata nuk kanë vëllezër e motra në Qeveri për të marrë nga 100 mijë euro grant për katër ditë. Ata nuk kanë as shokë në Ministri për t’i marrë ato”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së theksoi se bujqit e Kosovës nuk duhet të kenë një shtet që i vjedh dhe i shkel, duke shtuar se ky është një abuzim që nuk duhet të lejohet.

“Këta bujq nuk duhet të kenë një shtet që edhe i vjedhë edhe i shkelë, edhe paturpësisht i shikon në sy pa pendesë”, tha ai.

Abdixhiku përfundoi me një mesazh të fortë për ata që kanë abuzuar me pasurinë e qytetarëve: “Ndryshimi i madh po vjen, do t’i ktheni ato para cent më cent.”