Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për të kërkuar listat e punonjësve në grevë, duke theksuar se Qeveria e Kurtit në vend të dinjitetit po shpërndan frikë e kërcënim.
“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik. Sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri”, shkroi Abdixhiku.
Ai shtoi se qytetarët këtë përballueshmëri nuk po e gjejnë dot, “por kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij”.
“Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”, shkroi Abdixhiku.


