Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar i prekur nga ngjarja e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, siç e ka quajtur akt monstruoz, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se si baba i vajzave dhe si përfaqësues i qytetarëve ndjen pjesën e hidhërimit dhe njëkohësisht përgjegjësisë që na takon secilit për mos ndëshkimin e këtyre akteve në formën e duhur.
“Dhunuesve, dënim maksimal – asgjë më pak – për këtë akt monstruoz”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i tij i plotë:
Jam thellësisht i prekur nga ngjarja në Prishtinë, ku një vajze të vogël iu këput ecja nga një akt monstruoz dhunimi.
Si baba i vajzave, por, edhe si përfaqësues i qytetarëve ndjej pjesën e hidhërimit dhe njëkohësisht përgjegjësisë që na takon secilit për mos ndëshkimin e këtyre akteve në formën e duhur, por edhe për mos arritjen e shkallës së emancipimit që ta trajtojmë vajzën e gruan si të barabartë në këtë shoqëri.
Bashkëndjej me prindërit e vajzës së mitur dhe të gjitha bashkëmoshataret e saj që edhe një herë u bënë dëshmitare të një akti të tillë abuzues e çnjerëzor. Kemi për detyrim që nga fjalët dënuese të kapërcejmë në akte konkrete që luftojnë këtë anë të errët të shoqërisë dhe shtetit tonë.
Dhunuesve, dënim maksimal – asgjë më pak – për këtë akt monstruoz.


