Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të 13-të, të seancës konstituive, duke mbrojtur propozimin e partisë së tij për krijimin e një qeverie tranzicionale.
Në një prononcim për media, Abdixhiku tha se LDK-ja ka ofruar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, jo për protagonizëm, por për të dalë nga bllokada politike në të cilën ndodhet vendi.
“LDK-ja e ka dhënë një iniciativë, jo për protagonizëm. Nëse duan ta realizojnë një organizim të tillë, le ta bëjnë, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është për çka po takohemi, për zgjidhje apo për të vazhduar këtë cirk”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, askush nuk e ka shumicën në Kuvend, prandaj duhet dialog dhe kompromis.
“Kemi dalur me propozim të hapur, ftesë të hapur, të ulemi e të kapërcejmë këtë gjendje. Nëse janë të gatshëm këtu jemi, nëse nuk janë të gatshëm vijmë këtu çdo 48 orë”, shtoi Abdixhiku.


