Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot ka nisur ciklin e takimeve me qytetarë nëpër gjithë Kosovën, ndërsa këtë iniciativë ka zgjedhur ta filloj pikërisht nga vendlindja e Presidentit Ibrahim Rugova – Istogu.
Në prani të shumë qytetarëve Abdixhiku, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, theksoi se LDK do ta ketë të përhershëm komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, ngase, sipas tij, kështu kupton dhe kuptohet nga qytetarët.
Ai më tej e ka vlerësuar si të shkëlqyeshëm bashkëbisedimin me të rinjtë, gratë dhe strukturat e partisë së tij në Istog, si dhe ka inkurajuar të gjithë që të vazhdojnë me procesin e regjistrimit të anëtarësisë së LDK-së, të cilin e ka cilësuar si parakusht për demokratizim të brendshëm, gjithëpërfshirje përmbajtësore dhe mobilizim më të mirë strukturor në të gjitha nivelet.
Vlen të theksohet se nga muaji i kaluar, LDK ka filluar me procesin e regjistrimit të plotë të anëtarësisë, me ç’rast nga kryetari Abdixhiku është konsideruar si një ndër proceset më të rëndësishme strukturore të organizimit politik të kësaj partie.
Në fund, Abdixhiku, shpalosi edhe planet e brendshme për Konventën Programore që pritet të mbahet më 29 dhe 30 prillit, ku shtoi se orientimi i qartë qeverisës do të marrë formë.





