Lajme

Abdixhiku: Ne jemi gati për udhëheqje, besoj se populli do ta vlerësojë LDK-në

12/20/2025 22:06
nga:Sh R

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lumir Abdixhiku, në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ka thënë se partia e tij është gati të udhëheqë me vendin.

Por, ai tha se kjo nuk mjafton, dhe se për këtë duhet të jenë gati edhe qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës e përcaktojnë të ardhmen e vendit, jo vetëm të ardhmen time. Qëllimi ynë nuk është për të rehabilituar veten, por vendin. Të thyejmë një lloj mediokriteti politik, dhe kjo duhet të bëhet nga një gjeneratë e re politike. LDK është e gatshme, ka qenë e gatshme, por kjo nuk mjafton, duhet të jetë edhe populli, dhe besoj se do ta vlerësojnë LDK-në jo vetëm për vitin e fundit, por duhet të shihet LDK-ja si proces nga 2021 e tutje, por patjetër edhe para saj, me të gjitha forcat e grumbulluara rreth vetes me programin politik që e ka, me njerëzit që i ka, dhe unë që kam nderin t’i prij një liste të shkëlqyeshme të 100 kandidatëve”.

“Shpresoj që populli i Kosovës ta sheh këtë, se LDK ka njerëz, ka një program, dhe e ka potencialin për të sjellë atë stabilitetin për të cilin po flasim”, u shpreh Abdixhiku.