Lajme

Abdixhiku me plan për kapërcimin e krizës: Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian, ka mision përplasjen përfundimtare të shtetit

06/29/2023 10:09
nga:G B

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurti, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit.

Abdixhiku ka theksuar se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, ndërsa Serbia kurrë më shumë përkrahje, duke fituar kështu, e ne duke humbur.

Kreu i LDK-së ka thënë se ka edhe planin për kapërcimin e izolimit të krizës dhe se ka ftuar në takim lidhur me këtë akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur.

E vërteta është e trishtë.

Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën.

Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne.

Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie.

Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot.

Kosova mundet më mirë.

Kosova meriton më shumë.