Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar pesë projektet e mëdha të tij para bizneseve.
Ai ka bërë me dije se këto projekte kapin vlerën e miliarda eurove.
“Jam i lodhur nga tema politike që një lyerje ure e mbajnë si lajm politik dy muaj rresht; e një urë Badovci 35 metrash nuk e ndërtojnë tash e 3 vjet”, ka thënë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, gjatë takimit me 150 bizneset më të mëdha të vendit.
Sipas tij, Kosova nuk ka kohë për të humbur më, andaj do të investohet fort dhe shpejtë.
” Duam ta rrisim borxhin publik, të kemi partneritete publiko-private, të privatizojmë asete që në pronësi publike sjellin vetëm humbje, e të rrisim invesitmet kapitale si domosodshmëri e rigjenerimit kapital të Kosovës; rigjenermim që nuk ka ndodhur në mbi 6 dekada”, ka thënë Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Sot, takova 150 bizneset më të mëdha të Kosovës. Ata që punësojnë, krijojnë e zhvilloinë. Rreth 80% e kontribuesve të ekonomisë sonë ishin në këtë takim; dhe për jam krenar shumë. Sepse, pak vende kudo në botë, mund t’i mbledhin kaq kontribues në një vend.
Atyre u prezantova projektet tona!
5 miliardë investime në 4 vjet.
Jam i bindur, se teksa ne takohemi këtu, në moçalin e madh të pështymave të pushtetit, atë që çdo mëngjes na ushqen me vrer e urrejtje, do të ngritën zërat se si një politikan, takon biznese, takon oligarkë, takon hajdutë e mashtrues.
Dhe në gjithë këtë errësirë të portretizuar të tyre, ushqejnë masat me urrejtje, me mllef e me kundërshti, ndaj secilën iniciative që ëndërron të krijojë diçka. Mos i merrni për budallenjë; jetërat e tyre, të familjeve të tyre, standardi i tyre, i pushimeve të tyre është shumë më i mirë e shumë më i lartë se i shumicës së bizneseve në vend!
Jo se mërzitemi për ta, por dua ta thejë këtë mendësi haptas që tani, që në këtë fushatë!
Po, unë do të takojë biznese!
Po, unë do të punojë me biznese!
Po, unë do të ndërtojë Kosovën me biznese!
Me njerëz të ndershëm, punëtorë, inovativ e kreativ – ata që ëndërrojnë vërtetë për një Kosovë që lundron në nivele krejt të tjera të zhvillimit ekonomik.
Dua ta thyej dhe mendësinë e shkuar, të aferave korruptive, që në biznese shohin partnerë jo zhvillimorë, por partnerë akcionesh. Nuk ju shohin juve si mundësi zhvillimi, por aksionet tua si e drejtë përfitimi!
Si ekonomist me profesion kuptoj gjithë sfidat tuaja. Si politikan me detyrë, kam obligim të shtroj rrugën e djathtë të Kosovës. Por si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam një mision më të madh se këto të dyja; atë të ndërtimit të një rruge të re për Republikën e Kosovës, një që ngjason vendin tonë me vendet normale të familjes evropiane.
Ne kemi tjetër ambicie!
Unë besoj programin tonë ambicioz.
Kam ndërtuar dhe ekipë që do ta zbatojë këtë program.
Dhe jam i bindur, i bindur siç bindeni secili prej jush që mundi i juaj i madh do të ketë sukses, se ky program i yni, me të gjithë angazhimin tonë pas shkurtit, do të transformojë rrënjësisht Kosovën në një vend që duhet ta kemi patjetër. Sepse, jam i lodhur që të jemi të fundit në Evropë!
Jam i lodhur që të durojmë pozicionin tonë prej të fundit, në një kohë kur regjioni ynë ecë me hapa të jashtëzakonshëm, Evropa zhvillohet me tjetër vizion, e ne ngecemi në përballje të brendshme, të urrejtjes, ndarjes dhe propagandës!
Si vend me vetëm 11 mijë kilometra katrorë, e me vetëm 1.6 milion banorë; prej të cilëve 600 mijë fëmijë, do të duhej të ishim në fluturim! Të ishim model, shembull të zhvillimit, progresit e vet jetës së mirë!
Prandaj kohë s’kemi për të humbur më!
Kohë s’do të humbim më!
Duam të investojmë fort, dhe atë shpejtë.