Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur mashtrim dhe humbje të një mundësie historike nga kryeministri Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se një kauzë politike e rreme përfundoi, që i kushtoi Kosovës tmerrësisht shumë.
Abdixhiku ka shtuar se kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjesht u zhbënë.
Ai ka thënë se Kurti i solli Kosovës një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të.
Postimi i tij i plotë:
Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë.
Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.


