Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shpallur një plan të guximshëm për arsimin në Kosovë, duke premtuar rritje të pagave për mësimdhënësit dhe implementimin e mësimit gjithëditor në pesë komuna të vendit që në javën e parë të qeverisjes, raporton GazetaBlic.
Abdixhiku theksoi se Prishtina ka nisur me sukses mësimin gjithëditor dhe lavdëroi punën e madhe që është bërë deri tani.
“Ne kemi plan të guximshëm, së paku në pesë komuna të Kosovës të bëjmë mësimin gjithëditor. Atë që Jehona e ka nisë me të drejtë dhe më lejoni ta falënderojë për punën e madhe që ka bërë në Prishtinë”, tha Abdixhiku.
Ai ngriti shqetësimin për kushtet e vështira të arsimit në Kosovë, ku fëmijët kosovarë qëndrojnë vetëm gjysmë dite në shkollë, shumë më pak se bashkëmoshatarët e tyre evropianë. Sipas tij, arsimi cilësor kërkon kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, përfshirë mundësinë për t’u ushqyer dhe për të studiuar në ambiente të përshtatshme.
Abdixhiku po ashtu theksoi se inflacioni ka zhvlerësuar pagat e mësimdhënësve dhe premtoi rritjen e koeficientit të pagave.
“Arsimi cilësor kërkon dhe kushte të mira për mësimdhënësit tanë. Me rritjen e madhe të çmimeve për katër vitet e fundit, pra me inflacionin 22%, pagat e mësimdhënësve tanë janë zhvlerësuar për kaq”, thotë Abdixhiku.
“Koeficienti i pagave qysh në javën e parë do të rritet 150, pra ky është zotimi im . Koeficienti 150 do të thotë se një mësues që e merr pagën sot 671 euro, në javën e parë të qeverisjes sonë do ta ketë pagën 840 euro. 95% e fëmijëve në Kosovë”, shton ai.