Lajme

Abdixhiku kujton Presidentin Rugova: Vizionar e i palëkundur, simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut

01/21/2025 11:14
nga:G B

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 19 të vdekjes së tij, raporton Gazeta Blic.

Po ashtu, ai ka vizituar familjen Rugova.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se “Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, qëndroi si shtyllë e fortë e përpjekjeve tona për një shtet të lirë dhe të barabartë në mesin e familjes euroatlantike”.

“Sot, teksa përulemi për të nderuar kujtimin e tij, reflektojmë mbi gjurmët e tij të pashlyeshme në historinë e vendit dhe sot, më shumë se kurrë, ndjejmë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e tij në çdo hap që ndërmarrim për të ardhmen e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet figura më e madhe politike e historisë sonë, një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut”, ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

Sot, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, përulemi me respekt e mirënjohje përballë trashëgimisë së tij monumentale, dhe kujtojmë jetën dhe veprën e themeltarit të shtetit të Kosovës dhe prijësit historik të vendit që udhëhoqi popullin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

Më 21 janar të vitit 2006, Kosova humbi arkitektin e saj themeltar, njeriun që me urtësinë dhe vizionin e tij e drejtoi vendin tonë në kohët më të vështira. Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, qëndroi si shtyllë e fortë e përpjekjeve tona për një shtet të lirë dhe të barabartë në mesin e familjes euroatlantike.

Përkushtimi i tij ndaj vendit e popullit të tij e shndërroi atë në një simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore. Vizionar e i palëkundur, ai krijoi platformën politike që udhëhoqi popullin tonë drejt ndërtimit të shtetit. Presidenti Rugova, me veprën e tij unike, na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm drejt të ardhmes me moton: Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të!

Sot, teksa përulemi për të nderuar kujtimin e tij, reflektojmë mbi gjurmët e tij të pashlyeshme në historinë e vendit dhe sot, më shumë se kurrë, ndjejmë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e tij në çdo hap që ndërmarrim për të ardhmen e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet figura më e madhe politike e historisë sonë, një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.

I përjetshëm kujtimi për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova! Presidenti ka vetëm ditëlindje!