Lajme

Abdixhiku kritikon Kurtin: Viti i katërt i pushtetit popullist, zero ndryshime – politika simbolike e të zhurmshme

02/12/2024 20:09
nga:G B

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti, teksa ka thënë se po futemi në vitin e katërt të pushtetit popullist dhe qytetarët e kanë të qartë se ndryshimet s’kanë për të ardhur asnjëherë, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se po udhëhiqemi nga politika të vazhdueshme përplot simbolikë, të zhurmshme që marrin vëmendje dy-tre muaj, me zero ndryshim.

Abdixhiku ka shtuar se Rruga e Re është zgjidhja!

Postimi i tij i plotë:

Javë e re, takime mobiliziuese të tjera!

Sonte qëndrova në Viti.

Aty takova strukturat udhëheqëse të degës sonë; kryesinë e degës, kryetarët e nëndegëve, forumet e këshilltarët lokal. Një strukturë sa vitale aq dhe me plot vullnet! Mes bashkëpartiakëve të Lidhjes, shtrova kërkesën për mobilizim partiak gjithënacional; siç dhe parashtrova planet tona për këtë vit zgjedhor.

Teksa po futemi në vitin e katërt të pushtetit popullist, me plot 12 miliardë euro të menaxhuara në vetëm katër vjet; për qytetarët në çdo anë po bëhet gjithnjë më e qartë se shenjat e mëdha, ndryshimet thelbësore, projektet zhvillimore, nuk kanë për të ardhur asnjëherë.

Sepse zhvillimi nuk është synim. Për popullistët, zhvillimi vërtetë është i vështirë!

Në vend të kësaj, ne po udhëhiqemi nga politika të vazhdueshme përplot simbolikë. Aso të zhurmshme që marrin vëmendje dy-tre muajshe, por s’japin një ndryshim të vetëm për t’u mbajtur në mend; as në ekonomi, as në infrastrukturë, energjetikë, arsim, shëndetësi, sport apo kulturë. Zero ndryshim!

Koha po na ikën, njerëzit po na largohen, gjersa vendi mbetë peng kolektiv i popullizmit simbolik.

Rruga e Re është zgjidhja! Le të flasim për zhvillim!

LDK do të qëndroj në çdo qytet e fshat, për të shpërndarë mesazhin tonë të qartë. Strukturat tona janë gati! Lidhja është gati!