Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në përvjetorin e themelimit të degës së kësaj partie në Obiliq, ka thënë se ata po mbledhin njerëz të mirë rreth vetës, të cilët janë domosdoshmëri për të ardhmen e vendit.
Abdixhiku është shprehur se Kosova sot është kaq e zbrazët dhe e zymtë, por që një gjë të tillë nuk e kanë brengë populistët, të cilët Kosovën e shohin si projekt të përkohshëm.
“Kosova është shumë e pasur për të qenë e fundit në Evropë. Për të qenë kaq e zbrazët e për të qenë kaq e zymtë. Kosova ka plot njerëz punëtorë, familje të ndershme, biznese të shëndosha, mësues me ideale, mjek me pasion, shërbyes me dinjitet. Kosova ka tradita të pasura që duhet t’i kultivojë me fanatizëm, e ka potenciale të jashtëzakonshme që duhet t’i shfrytëzojë me plot përkushtim. Populistët këtë nuk kanë brengë. Fillimisht sepse nuk e besojnë Kosovën, e shohin si të përkohshme; e më pas sepse kanë tjetër synim”, ka shkruar ai në Facebook.