Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar një OpEd për portalin Euractiv ku ka diskutuar për dilaogun midis Kosovës dhe Serbisë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve që sipas tij gjatë muajve të ardhshëm “do të arrijnë një pikë kritike”.
Abdixhiku e nis opinionin e tij duke përmendur agresionin rus në Ukrainë dhe tensionet në veri të Kosovës, duke nënvizuar nevojën që SHBA-të dhe BE-ja ta mbështesin Kosovën me gjithë potencialin e tyre në ndjekjen e rrugës së integrimit euroatlantik.
“Kosova ka qenë një histori e jashtëzakonshme suksesi. Fatkeqësisht, këtë pikëpamje nuk e ka fqinji ynë verior, Serbia, e cila vazhdimisht ka minuar perspektivën e sigurisë në të gjithë rajonin.” thotë Abdixhiku në shkrimin e tij.
Abdixhiku ka kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare për të siguruar të ardhmen stabile të të gjithë rajonit, derisa ka nënvizuar shqetësimet e një procesi të stërzgjatur të dialogut duke e vendosur normalizimin e marrëdhënieve si mënyrë të parandalimit të përshkallëzimit të situatës.
“Me luftën e vazhdueshme në Evropë dhe dëshminë se tensionet në veri të Kosovës mund të përshkallëzohen shpejt, aleatët tanë duhet të ndërhyjnë për të siguruar të ardhmen e kombit tonë dhe të gjithë rajonit. Përderisa BE-ja e ka lehtësuar dialogun Kosovë – Serbi për disa vjet, në Kosovë ka shqetësime se ky proces i gjatë rrezikon të përjetësojë marrëdhëniet e tensionuara në rajon. Për ta parandaluar këtë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në parimet themelore të njohjes reciproke të dy vendeve, duke respektuar plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit”, shkruan Abdixhiku për Euractiv.
Abdixhiku ka përmendur edhe anëtarësimin në NATO si një hap të natyrshëm për Kosovën, duke argumentuar se pse kjo duhet të ndodh.
“Përtej kësaj, anëtarësimi i Kosovës në aleancën e NATO-s duhet të jetë një hap i natyrshëm që përfundon tre dekadat e angazhimit perëndimor. Në fund të fundit, NATO ka qenë në Kosovë që nga qershori i vitit 1999; është koha e duhur që Kosova të jetë në NATO. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës tregoi rëndësinë kritike të anëtarësimit në NATO për frenimin e agresionit dhe hapi një dritare mundësie për të forcuar sigurinë evropiane, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Me mbështetjen e administratës Biden për Kosovën dhe çështjen ë anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës në qendër të vëmendjes, kjo është mundësi e shkëlqyer për të avancuar interesat strategjike të Kosovës dhe Perëndimit, për të demonstruar unitet në komunitetin euroatlantik dhe për të ofruar një simbol se si një komb i ri mund t’i bashkohet aleancës që e ndihmoi atë të bëhej i pavarur”, shkruan Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka diskutuar gjithashtu edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke përmendur çështjen e pesë vendeve mosnjohëse.
“Nga perspektiva e anëtarësimit në BE, edhe Kosova edhe Serbia kanë hyrë në rrugën e anëtarësimit. Serbia nuk po e bën këtë me mirëbesim. Si një kandidate e BE-së, Serbia këmbëngul mosnjohjen e një vendi tjetër aspirant, Kosovën dhe duke dështuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në pas pushtimit rus të Ukrainës. Si mundet BE-ja ta përqafojë Kosovën kur pesë anëtarë të BE-së nuk na kanë njohur ende si shtet të pavarur? Shpresoj se aleatët tanë mund t’i adresojnë këto pyetje, duke u angazhuar me vendet jo-njohëse në ndjekje të një rezolute në dobi të Kosovës, rajonit dhe Evropës në tërësi”, tha Abdixhiku.
Krejt në fund, Abdixhiku ka përmbledhur rëndësinë e pikave të lartcekura që kanë të bëjnë me integrimin euroatlantik të Kosovës duke e vendosur diskutimin në rrafshin praktik e të përditshëm të jetesës në një vend si Kosova.
“Në zhurmën dhe dramën e diplomacisë, politikanët mund të humbasin nga sytë pikëpamjet e njerëzve dhe përvojat e përditshme. Mungesa e sigurisë së vazhdueshme dhe perspektiva euroatlantike i përkeqësojnë problemet e përditshme që popullata e re e Kosovës, gjysma e së cilës janë nën moshën 25 vjeçare – i përjeton çdo ditë. Kostoja e jetës, zhvillimi ekonomik, shëndetësia dhe arsimi janë vetëm disa nga këto probleme. Të rinjtë tanë përqafojnë Perëndimin, por gjithashtu duhet të përballen me çështjet e përditshme që ndikojnë në jetën dhe pikëpamjen e tyre për botën. Duke parë aleatët tanë ta përqafojnë Kosovën do t’u dëshmonte atyre se besimi i tyre nuk është i pabazë”, shprehet Abdixhiku më tutje.
Abdixhiku thekson se dialogu do të arrijë një pikë kritike dhe se SHBA dhe BE duhet të mbështesin Kosovën.
“Gjatë muajve të ardhshëm, përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrijnë një pikë kritike. Në ndjekje të një përfundimi të suksesshëm të dialogut, SHBA dhe BE duhet të mbështesin ankorimin e pakthyeshëm të Kosovës në Perëndim dhe të shmangin ndërhyrjet malinje nga Rusia dhe Kina. Kjo mund të bëhet vetëm përmes një anëtarësimi të plotë në NATO. Për këtë qëllim, njohja formale e Koosvës nga të gjithë anëtarët e NATO-s dhe BE-së është një parakusht i domosdoshëm. Vetëm duke përforcuar sigurinë e Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja do të përmbushin prioritetet e tyre strategjike rajonale, do ta ndihmojnë kombin tonë të ri të lulëzojë dhe do të sigurojë stabilitetin evropian. E ardhmja e Kosovës është në rrezik. Ne duhet të ngrihemi përpara me aleatët tanë perëndimorë për ta siguruar dhe mbrojtur atë.”, thotë Abdixhiku.
/Gazeta Blic/


