Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një shkrimi në “Facebook” u shpreh se dështimi i “Sunny Hill Festival” është skandal për vendin tonë.
Abdixhiku akuzon qeverinë Kurti për mosdije të krijojë e ndërtojë, raporton GazetaBlic.
“Refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë”, shkruan Abdixhiku.
POSTIMI I PLOTË:
Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë.
Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë.
Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë.

