Pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku etiketon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi si nxitësit e protestës që mbahet sot, ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumri Abdixhiku, raporton Gazeta Blic.
Abdixhiku e ka cilësuar si të pamatur, nxitëse dhe ofenduese deklarën e Sveçlës.
“Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë” shkruan Abdixhiku në reagimin e tij raporton Gazeta Blic.
Ai tutje thotë se të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë.
Abdixhiku theskon se sot më shumë se kurrë Kosovës i duhet maturi.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë.
Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë.
Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë.
Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak.
Kosova meriton më mirë.
Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend.


