Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se duhet të hiqet TVSH-ja për produktet elementare, çmimi i të cilave është rritur 50% në njëzet muajt e fundit, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky është propozimi i LDK-së që nga marsi dhe se në këtë mënyrë nuk do të dëmtohej buxheti i shtetit.
Postimi i tij i plotë:
Çmimi i miellit, vajit, bukës, qumështit, vezëve, domateve, patateve, orizit, fasuleve, sheqerit, naftës, benzinës e energjisë elektrike, është rritur për plot 50% në njëzet muajt e fundit.
Çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot. Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend.
Heqja e TVSH-së vetëm për këto produkte elementare, s’dëmton buxhetin e vendit. Heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë.
Ky është propozimi ynë nga marsi i këtij viti.


