Lajme

Abdixhiku telegram ngushëllimi familjes Berisha: Kontributi i Antonit do të mbetet trashëgimi e rëndësishme

01/02/2025 18:05
nga:G B

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Berisha me rastin e vdekjes së ambasadorit dhe ish-zv.ministrit, Anton Berisha.

Abdixhiku në telegram ngushëllimi ka shkruar se kontributi i Anton Berishës në fushën e diplomacisë dhe jo vetëm mbetet trashëgimi e rëndësishme për të gjithë jetën politike e shoqërore.

Postimi i plotë i LDK-së:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të LDK-së, ambasadorit, Anton Berisha.

“E nderuara familja Berisha,

Na preku thellë lajmi për humbjen e parakohshme të mikut tonë, ambasadorit, Anton Berisha.

Kontributi i tij në fushën e diplomacisë dhe jo vetëm do të mbetet trashëgimi e rëndësishme për të gjithë jetën politike e shoqërore. Përkushtimi i tij si diplomat dhe ambasador i Kosovës, si dhe roli i tij në lëvizjen kombëtare dhe në shërbimet e jashtme, mbeten shembull frymëzues i profesionalizmit dhe angazhimit të tij për vendin.

Anton Berisha dha një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën politike dhe diplomatike të Kosovës që nga viti 1990, ku ishte i autorizuar nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova për misione specifike diplomatike. Si gjeneratë e parë e ambasadorëve, Berisha shërbeu si ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni, duke ndihmuar Kosovën në integrim e skenës ndërkombëtare. E pastaj edhe si zëvendësministër i Punëve të Jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit dhe si person diplomatik kontaktues në Selinë e Shenjtë.

Përveç angazhimeve diplomatike, z. Berisha ishte gjithashtu kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës. Kontributi i tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës ishte i pashoq. Së fundmi, ai u angazhua edhe në departamentin tonë për politikë të jashtme dhe diplomaci.

Humbja e veprimtarit Anton Berisha është një humbje e thellë edhe për trupën tonë diplomatike dhe shërbimin e jashtëm të Kosovës, ku shërbeu e kontribuoi me devocion dhe profesionalizëm prej dekadash.

Në emrin tim personal dhe të gjithë Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha, miqve dhe të gjithë komunitetit diplomatik. Kujtimi për të do të mbetet i paharrueshëm!

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, Anton Berisha!”