Lajme

Abdixhiku hap fushatën me tubim masiv në Prishtinë: Uragani i madh i fitores së 9 shkurtit nisi

01/11/2025 17:50
nga:Gazeta Blic

Kandidati për Kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hapur fushatën zgjedhore me një tubim masiv në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ndërsa Kosova i afrohet zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në sallën e mbushur plot me simpatizantë, Abdixhiku përçoi mesazhe të forta “shprese dhe ndryshimi”.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku iu drejtua të pranishmëve me tone të shpresës për ndryshim, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Kosovës.

“Mirë se vini në tubimin më të madh elektoral në vend. Mirë se vini në shtëpinë e të djathtëve, në shtëpinë e lirisë, në shtëpinë e pavarësisë, në shtëpinë e vet demokracisë! Mirë se vini në Tubimin e Hapjes së fushatës, në tubimin e ndryshimit, në tubimin e nisjes së uraganit të madh të fitores së 9 shkurtit.

Jemi mbledhur sonte këtu, jo vetëm si pjesëtarë të një Lidhje të fortë politike, por si një shtëpi e bashkuar e njerëzve që ëndërrojnë për Republikën tonë, të ardhmen tonë, të ardhmen e një vendi që duhet të qëndrojë krenar, të qëndrojë i fortë, të qëndrojë prijetar!” – tha ai.

Kryetari i LDK-së tha se ky tubim shënon fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën dhe një moment të rëndësishëm për historinë e popullit të saj, në atë që ai e quajti “kryengritjen e djathtë kombëtare – si thirrje monumentale e popullit të Kosovës!”

Sipas tij, ndryshimi i shumëpritur do të nisë pikërisht nga ky tubim dhe do të përfundojë me një fitore të madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Sonte, shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën! Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë! Sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare – si thirrje monumentale e popullit të Kosovës!

Dhe ju them, ju premtoj, zotohem, se çfarë kemi nisur sot këtu, do të kushtrojë fort e do të mbahet në mend gjatë, jo vetëm gjatë këtij muaji elektoral, por do të kushtrojë fort e gjatë, për gjenerata të tëra që do të vijnë pas.

Do të shikojmë me mburrje në këtë 11 janar, e do të kuptojmë, se ndryshimi i shkurtit nisi mu në këtë sallë! Nga kjo sallë LDK është ngritur në këmbë! Është ngritur në këmbë për t’u mos u ndalur.” – deklaroi Abdixhiku.