Lajme

Abdixhiku: Ftesës për shkurtimin e fushatës elektorale i është përgjigjur Haradinaj dhe Krasniqi, nga Kurti s’kam marrë konfirmim

09/02/2021 20:46
nga:Y I

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot në mëngjes ka ftuar të gjithë liderët e partive politike, që fushata elektorale të shkurtohet nga 30 në 10 ditë.

Abdixhiku ka bërë me dije se ka marrë përgjigje nga kryetari i AAK-së Haradinaj dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë as konfirmim dhe as pranim propozimi nga kryeministri Kurti.

“Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë’ shkruan Abdixhiku në Facebook raporton Gazeta Blic.

Reagimi i plotë:

Sot në mëngjes, nëpërmjet një mesazhi publik, kam ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë; gjithmonë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në vend.

Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë.

Në ora 18:00, ndërsa, kam marrë konfirmimin tjetër nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, i cili, poashtu ka shprehur gadishmëri për një shkurtim eventual të fushatës zgjedhore. I falëndëroj të dy për përgjigjjet e menjëhershme.

Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë.

Hapat tonë partiak, shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, më 17 tetor, të sigurtë për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve.