Lajme

Abdixhiku: E çuditshme si një parti ka 48 deputetë dhe nuk arrin ta bëjë shumicën

04/23/2025 11:34
nga:Y I

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdxhiku u shpreh se si parti kanë qëndrimet e tyre të qarta, por është e çuditshme se si një parti që ka 48 deputetë nuk arrin të zgjedh kryetarin e Kuvendit.

Ai para hyrjes në seancën konstituive u shpreh se po t’i kishte 48 vota ai do ta bënte deri tani Kuvendin dhe Qeverinë.

“Nëse gjatë këtyre dy ditëve nuk ka pas marrëveshje politike edhe kjo seancë, do të jetë e kotë. Partia e parë që ka numrin më së shumti të deputetëve duhet të gjejë kompromis me partitë që kanë ofruar gatishmëri për kompromis….qëndrimet e LDK-së janë të qarta. Si LDK ndajmë pikëpamje krejt ndryshe prej partisë së parë edhe sa i përket politikave publike në vend edhe sa i përket qasjes dhe vizionit për të ardhmen e Kosovës”, theksoi ai.

Kreu i LDK-së është shprehur i hapur me qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij nuk mund të përdoret gjuha e shantazhit e më pas të kërkohet kompromis.

“Është tërësisht e pakuptimtë besa edhe e çuditshme se si një parti që ka 48 deputetë nuk arrin të bëjë një shumicë me 61 vota. Përkundër kësaj është edhe më e çuditshme se si një ditë bëjnë postime se partitë shqiptare janë bërë bashkë me Listën Serbe u është errësuar mendja e pasnesër kërkojnë kompromis… Shantazhi nuk do të duhej të ishte gjë diskutimi tani. Por, kjo është mënyra se si ka zgjedhur këto momente… Po t’i kisha unë 48 deputetë, sot do ta kisha edhe Kuvendin edhe Qeverinë, por nuk do ta bëjë duke sharë të tjerët dhe shantazhuar. Politika është art i diskutimit”, deklaroi ai.

E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë sërish votat për kryetare të Kuvendit.

Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.