Lajme

Abdixhiku: Dridhjet e paimagjinueshme me miq thyejnë trashëgiminë reale të Rugovës, duhet veprim i menjëhershëm politik

06/10/2024 17:31
nga:G C

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Ibrahim Rugova ishte “zgjatim i filozofisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, veprimtarinë e të cilit e konsideronte si frymëzim e pikëmbështetje për t’i ripërtërirë ato aleancat e moçme të heroit tonë me perëndimin”, në një konferencë të mbajtur sot për 25 vjetorin e lirisë.

Abdixhiku përmendi se jemi në “kohë lëkundjesh e tronditjesh të mëdha”, dhe se në këso raste, mësimet e Rugovës “nuk lejojnë kurrë të futesh në rrugë pa krye.

Kryetari i LDK-së tha se Rugova nuk ishte properëndimor vetëm për arsye pragmatike e strategjike po “në vet kuptimin e fjalës”.

“Sot, mësimet politike të Rugovës, në këto kohë lëkundjesh e tronditjesh të mëdha, janë po aq të nevojshme sa në vitet e 90-ta. Sepse, janë mësime me rezultate mahnitëse, që nuk lejojnë kurrë të futesh në rrugë pa krye e në gabime politike tejet të paqarta e me pasoja”, tha Abdixhiku në fjalën hyrëse.

Kosova, Abdixhiku tha se “ka nevojë të ripërtërijë kujtesën, të kthehet te idealet që e ndihmuan të dalë nga lufta në liri”. Më shumë se kurrë, ai tha se Kosova “ka nevojë për figurën e tij shembull e mësimet e tij të mira”.

“Vepra e Rugovës është mësim i mirë i njeriut të mirë. Dhe në gjithë absurditetin përplasës të sotëm, tek i cili absurditet gjejmë sot veten si në habi disi, në gjithë këtë mes dridhjesh të paimagjinueshme të Kosovës me rrugëtimin tonë origjinal euroatlantik, me miq e me aleat, në pabesinë më të madhe të zareve që thyejnë trashëgiminë reale të Ibrahim Rugovës, ne duhet të gjejmë jo vetëm kurajon për veprim të menjëhershëm politik, por dhe besimin në bërjen e këtij rrugëtimi me bindje!”, tha Abdixhiku.

“Për ne, perëndimi nuk është dëshira jonë, është identiteti ynë. Ne jemi popull perëndimor; sikurse Ibrahim Rugova!”, tha ai.

Fjalimin e tij, Abdixhiku e ka publikuar të plotë në Facebook.